Shumë zgjidhje në sulm, por më shumë shënon një anësor si Cara!
Partizani fitoi ndeshjen e parë të kampionatit falë goditjes me kokë të Maguette. E bëri pasi koleksionoi një numër impresionues goditjesh drejt portës, pa mundur të kalonte Dajsinanin.
Minutat shtesë nuk mund të jenë gjithnjë efektive dhe tekniku Zoran Zekic e ka të qartë se ka shumë gjëra që duhen përmirësuar sidomos përpara. Me Mba, Bitsouka, Carën, Grezdën, Kekon, Mensah tekniku kroat i ka numrat, por para portës duhet të krijojë një goleador. Natyrisht, Mba ka qenë i padisponueshëm dhe ai ishte njeriu kyç i ofensivës kryeqytetase sezonin e kaluar, në gjysmën e dytë të sezonit në të cilin të kuqtë u shpallën kampion.
Por është po aq e vërtetë se 5 gola në 18 ndeshje nuk janë impresionuese. Kështu, edhe të tjerët që provuan të luanin qendërsulmuesin mes Champions dhe Conference League nuk patën rezultatet e shpresuara, me përjashtim të Carës. Gjashtë gola në tetë ndeshje dhe statusi i liderit të paktën në Europë për kavajasin.
Problemi është se po flasim për një sulmues anësor, efikasitetin e të cilit Zekic e ka ndjerë, duke tentuar ta afrojë më tepër me portën në 4-3-1-2 e dizenjuar me Taipin pas shpinës së dyshes ofensive.
Kundër Laçit, bardhezinjtë treguan një kujdes të theksuar për Carën, duke limituar dëmet që mund të bënte shpejtësia e teknika e tij. Por nëse bllokohet ai, të tjerët duket se e kanë të vështirë të gjejnë rrugën e rrjetës.
Ndaj dhe Zekic tani duhet të ndërtojë një goleador, nga ata të aftë të kalojnë në dopio shifra, nga ata që janë në gjendje të të bëjnë të fitosh kampionatin.