Kombëtarja e Italisë vijon përgatitjet për ndeshjen si mysafir ndaj Maqedonisë së Veriut në Shkup.
Ndeshja luhet të shtunë (20.45) në kuadër të Grupit C të kualifikueseve për Kampionatin Evropian në futboll.
Në këtë ndeshje do të debutojë selektori i ri i Italisë, Luciano Spalletti.
Ish - trajneri i Napolit ka bërë një prerje të vogël në kombëtare duke mos i ftuar Verratin dhe Jorginhon dhe priten ndryshime shtesë në ekipin titullar për ndeshjen me Maqedoninë.
Siç bëjnë të ditur nga Italia, Spalletti ka zgjedhur në thelb formacionin 4-3-3, si formacion ideal, pasi ky formacion i solli sukses me Napolin.
Befasuese është se ndaj Maqedonisë pritet që Ciro Immobile të mos startojë si sulmues klasik.
Në seancat e fundit stërvitore, Spalletti eksperimentoi me treshen Politano – Raspadori – Chiesa, tre lojtarë që mund të rrotullohen në tre pozicionet e vijës sulmuese dhe të krijojnë probleme shtesë për mbrojtësit maqedonas.
Donnarumma konsiderohet si portieri i parë i kombëtares italiane, Di Lorenzo në të djathtë dhe Dimarco në të majtë pritet të shfaqen në pozicionet e mbrojtjes, ndërsa Mancini është i besueshëm në mesin e mbrojtjes dhe dilema është Romagnoli apo Scalvini.
Barella dhe Locatelli janë të paprekshëm në mesin e fushës dhe më afër vendit të fundit në ekipin titullar është Sandro Tonali.