Shqipëria do të zhvillojë një nga ndeshjet më të rëndësishme të viteve të fundit, këtë të enjte, në transfertë ndaj Çekisë. Ky takim mund të vendosë shumë për rrugën e kombëtares kuqezi drejt Euro 2024.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Sylvinho ndodhet në Pragë që prej ditës së mërkurë, aty ku atmosfera është ndezur nga tifozët shqiptarë që mbrëmjen e djeshme.
“Isport.cz”, një nga faqet më të rëndësishme vendase i ka bërë një analizë të shkurtër takimit të sotëm. Ata shkruajnë se kombëtarja e tyre duhet ta fitojë këtë takim dhe më pas bileta për të kaluar kufirin me Gjermaninë është thuajse e sigurt.
“Na duhen edhe 3 fitore dhe këtë mund ta bëjmë vetëm me ndeshjet në shtëpi për të shkuar në Euro 2024”, shkruan media çeke. Megjithatë, ata kërkojnë më tej që kombëtarja e tyre të bëjë kujdes nga Shqipëria, pasi vlerësohet si një kundërshtar jo i lehtë, tejet i vështirë për t’u çarë në mbrojtje.
“Ata kanë emra interesante, me 7 lojtarë që vijnë nga Italia, Spanja e Anglia”, vazhdon media çeke, por edhe këtu gabojnë dhe tregojnë se nuk kanë informacionin e duhur për kombëtaren kuqezi, pasi vetëm nga Italia kanë ardhur 9 futbollistë në Kombëtare.
Çeki-Shqipëri do të nisë në orën 20:45, ndërsa më 10 shtator, kuqezinjtë do të presin Poloninë në ”Air Albania”.