Pasi fitoi me rezultatin 4-2 gjysmëfinalen ndaj Hajvalisë së Kosovës, Vllaznia tashmë është gati për finalen e Grupit 7 në Ligën e Kampioneve në futbollin e femrave. Vajzat do përballen me Valur të Islandës, takim që do të luhet sot në orën 18:00 në stadiumin “Loro Boriçi”.
Kampione si dhe fituese të Kupës për 10 vite radhazi në Shqipëri, shkodranet kërkojnë kualifikimin për në “play off” të Champions-it, për të synuar më pas pse jo një tjetër rezultat historik si ai i sezonit të kaluar, ku mbërrinin deri në fazën e grupeve.
Për ta bërë diçka të tillë, pengesa e radhës janë islandezet, një kundërshtar aspak i lehtë, që në gjysmëfinale mundi 2-1 turket e Fomget.
Nga kjo përballje Vllaznia është munduar ta studiojë kundërshtarin: “Ishte një ekip i mirë kuptohet. Ne i studiuam pikat e forta të tyre. Do të mundohemi që t’i ndalojmë. T’i sulmojmë dhe të luajmë aspak inferiorë ndaj tyre”, është shprehur ndër të tjera trajneri Haris Lika.