Super Kosova, baras me Zvicrën

Kosova ka barazuar ne rezultat 2:2 me Zvicrën, në takimin e xhiros së pestë të Grupit I të kualifikueseve për Kampionatin Evropian në futboll.
Vedat Muriqi është hero i barazimit në minutën e 90+4.
Kapiteni Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, sonte kanë pasur emocione të mëdha në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Dy lojtarët shqiptarë së bashku me kombëtares e Zvicrës, u përshëndetën ashtu si iu ka hija nga tifozët Dardanët
Kosova - Zvicra 2:2
Stadiumi "Fadil Vokrri" në Pristinë.
Shikues: 13.000.
Gjyqtar: J. Kehlet.
Shënues; Muriqi (65 e 90+4'') - Freuler (14''), Rrahmani (79'-autogol).
Kartona të verdhë: Aliti, Loshaj, Rrahmani.
Kosova: Muriç, Aliti, Fazliji (Muslija 46'), Rashica (Korenica 81'), Rrahmani, V. Berisha (Zhegrova 46'), Vojvoda, Paçarada, Muriqi, Loshaj (Hadërgjonaj 68') dhe B. Berisha (E. Krasniqi 54').
Zvicra: Sommer, Fernandes, Akanji, Zakaria, Amdouni (Itten 63'), Freuler (Sow 84'), Xhaka, Rodriguez, Vargas (Ndoye 63'), Schar dhe Shaqiri (Okafor 84').
Lojë e hapur, me raste dhe katër gola të shënuar.
Xhaka e Shaqiri padyshim se kishin emocione për faktin se luanin ndaj vendlindjes së tyre, Kosovës.
Dy trima tanë përjetuan emocionet në Prishtinë.
Në minutën e 14-të, Fernandes asiston për mrekulli, ndërsa Remo Freuler nga afërsia me goditje të saktë kaloi në epërsi (0:1) Zvicrën.
Pas dy minutave (16’) Kosova pati rast ideal. Milot Rashica mashtroi mbrojtjen dhe portierin e Zvicrës, ndërsa Bernard Berisha nga rreth një metër nuk shënoi në portën e zbraztë, duke dërguar topin jashtë shtyllës së djathtë.
Në minutën e 18-të, Vedat Muriqi pati mundësi të mirë por gjuajtjen e tij e ndali portieri helvetik.
Në minutën e 39-të, Mërgim Vojvoda harkon bukur ndërsa Muriqi nuk ia del që të shënoj nga afërsia.
Fat për Zvicrën në minutën e 60-të, Vedat Muriqi kërceu bukur por goditja e tij me kokë shkoi mbi portë.
Në minutën e 65-të, atmosfera në stadium shpërtheu si vullkan. Vedat Muriqi ka shënuar gol të bukur me kokë duke iu falënderuar harkimit maestral të Milot Rashicës.
Në minutën e 79-të, Freulur nga rreth 15 metra në pozitë qendrore godet fortë e përtokë dhe Amir Rrahmani duke tentuar të pastrojë situatën ka shënuar autogol, 1:2.
Në minutën e 90+4, Vedat Muriqi me goditje të fortë ka barazuar rezultatin, 2:2.
Në Grupin I Zvicra kryeson me 11 pikë, duke lënë pas Rumaninë me 9, Izraelin me 8, Bjellorusinë 4, Kosovën 4 dhe Andorrën me 2 pikë.