Ndonëse vetëm 16 vjeç, sulmuesi i talentuar shqiptar Brajan Gjyla vijon të tregojë cilësitë e tij në fushë dhe të rritet gjithnjë e më shumë në hierarki, në klubin e Feralpisalos, që militon në Serinë B italiane.
Vetëm pak ditë pasi u bë futbollisti i parë i lindur në 2007-ën, që debuton në futbollin profesionist në Itali, sulmuesi gjeti edhe golin në miqësoren ndaj Sassuolos, pasditen e kësaj të shtune në stadiumin “Enzo Ricci”, duke vulosur fitoren 0-2 të Feralpisalos.
Trajneri Vecchi, i cili më herët ka drejtuar edhe të rinjtë e Interit, hodhi në fushë Gjylën në minutën e 81-të të ndeshjes dhe dy minuta më vonë ishte Compagnon që zhbllokoi sfidën. Në të 91-tën ishte vetë Gjyla që dërgoi topin në rrjetën e portës së Cragno dhe vulosi fitoren e Feralpisalos.
I rritur pikërisht te të rinjtë e Feralpisalos, Gjyla është afruar në skuadrën e parë këtë verë nga trajneri Vecchi, pavarësisht se ka vetëm 16 vite mbi supe. Sulmuesi ka firmosur për tre sezone me skuadrën e Feralpisalos, teka më 20 gusht në transfertën ndaj Parmës, debutoi në minutën e 85-të, duke u bërë i pari lojtar i vitlindjes 2007, që luan në futbollin profesionist italian.
Gjyla ka marrë ftesë edhe nga Italia U17, por ka refuzuar, duke zgjedhur të luajë me ngjyrat kuqezi të Shqipërisë.