Një barazim me shije të fitores për kombëtaren e Kosovës.
Dardanët barazuan me rezultat 2:2 me Zvicrën, në kuadër të xhiros së pestë të Grupit I të kualifikueseve për Kampionatin Evropian.
Përkrah selektorit Primozh Gliha ishin edhe dy legjenda e futbollit të Kosovës, Arbnor Morina dhe Afrim Tovërlani, të cilët kanë luajtur me sukses në elitën e futbollit ish jugosllav.
Ish portieri i Ballkanit të Therandës, Kushtrim Reshitaj, në analizën e tij, ka veçuar disa segmente në kombëtaren e Kosovës.
“Se sa e rëndësishme është me qenë brenda shtabit teknik, dy persona që e njohin deri në ‘asht’ futbollin e Kosovës, u bë e ditur që në ndeshjen e parë, madje ndaj një kundërshtari shumë të fortë.
Arbnor Morina dhe Afrim Tovërlani ia kanë kthyer sytë timonierit të Përfaqësueses, ka asetet serioze të Superligës.
Meriton Korenica është top futbollist, i tillë ka qenë edhe edicionet e kaluara, ai shkëlqeu thuajse në çdo ndeshje, derisa në Europë me Ballkanin, bashkë me Albion D. Rrahmani e Ermal Krasniqi, ishin deçiziv.
Klasi i tyre thjeshtë ka nevojë për hapësirën e duhur, në momentin që e kanë, tregojnë menjëherë vlerat e tyre.
Kjo erdhi në pah, kur në krye të bankinës dardane, erdhen dy trajnerët e respektuar kosovarë, dhe frytet i kemi pa menjëherë, qysh dje”, ka shkruar Reshitaj në profilin e tij në facebook.
Reshitaj ka thënë se është koha që të ftohen edhe futbollistët e tjerë që po tregohen në secilin sfidë.
“Tani është koha që edhe Lumbardh Dellova e Lindon Emërllahu ta kenë momentin e tyre për të treguar nivelin, që sipas meje është më i lartë se shumë të tjerë që kishin vend te Giresse.
E besa, disa minuta të reprezentacionit, ‘qajnë’ edhe për kualitetin që e ka Armend Q. Thaqi, krosimet e magjishme dhe depërtimet fantastike nga krahu.
Futboll luhet edhe këtu, me goxha kualitet bile, këtë më së miri e ka dëshmu kampioni i Kosovës në garat europiane.
Talentë shqiptarë kemi edhe në skuadra tjera të Superligës, thjeshtë kanë nevojë për besimin e ekipit përfaqësues shtetëror”, la përfunduar Reshitaj.