Mbrojtësi i Milan-it, Pierre Kalulu, ka pësuar një dëmtim muskulor dhe kjo do të thotë se Simon Kjaer dhe Malik Thiaë do të jenë titullarët në qendër të mbrojtjës kundër Inter-it të shtunën e ardhshme nëse francezi nuk rikuperon.
Mediat italiane kanë bërë të ditur se dëmtimi i Kalulu-t do të vlerësohet nga stafi mjekësor i kuqezinjve në ditët e ardhshme.
Kalulu nuk ishte i grumbulluar me kombëtaren e Francës kështu që dëmtimi ka ardhur gjatë stërvitjes me klubin.
Me Fikayo Tomori-n të skualifikuar për ndeshjen kundër Inter-it, Pioli do të jetë përballë një krize të vërtetë përpara derbit nëse Kalulu nuk rikuperon.
Dy qendërmbrojtësit e tjerë në dispozicion janë Mattia Caldara, i cili ka luajtur vetëm dy ndeshje me kuqezinjtë dhe argjentinasi i ri Marco Pellegrino.
Ka pasur shqetësime të tjera për Milan-in gjatë ndeshjeve të kombëtareve, me Olivier Giroud që është kthyer në Milanello pas një dëmtimi të pësuar me Francën.
Edhe Mike Maignan dhe Theo Hernandez kanë munguar në stërvitje me Les Blues të shtunën, por sipas shumë burimeve në Itali, treshja duhet të jetë në dispozicion për derbin kundër Inter-it fundjavën e ardhshme.