Tirana fitoi me përmbysje në përballjen e javës së tretë të Superiores 3-1 ndaj Skënderbeut. Bardehblutë morën fitoren e dytë këtë edicion dhe ngjiten në vendin e parë të Superiores në kuotën e 7 pikëve.
Ndonëse korçarët shënuan të parët me Nikajn, Tirana ia doli që të barazonte pa u mbyllur pjesa e parë me anë të Kainas, i cili pak pa u mbyllur pjesa e parë vendosi ekuilibrin.
Në pjesën e dytë ai që ktheu rezultatin ishte 19-vjeçari Klevi Qefalija.
11 minuta pasi u aktivizua, mesfushori bardheblu arriti që të shënonte të dytin për Tiranën. Por nuk u mbyll me kaq. Në minutën e tetë shtesë Florent Hasani sigloi golin e rezultatit përfundimtar 3-1.
Skënderbeu pëson humbjen e parë në këtë edicion, teksa ndalet pas dy fitoresh radhazi, por mbetet në pjesën e sipërme të klasifikimit me 6 pikë.
Pavarësisht kësaj humbjeje, juglindorët treguan edhe ndaj bardhebluve se kanë potencial për të bërë mirë. Tirana do të luajë javën e ardhshme me Kukësin në transfertë, ndërkohë që Skënderbeu, në anën tjetër, do të vizitojë Durrësin për t’u ndeshur me Teutën.