Përveç faktit që ekipet e kryeqytetit nuk luajnë prej një muaji në “Air Albania”, edhe derbi i kryeqytetit rrezikon të mos zhvillohet në impiantin më modern në vend.
Më 12 tetor Kombëtarja do të ndeshet në këtë stadium me Çekinë, një sfidë shumë e rëndësishme për fatet e kualifikimit në Europianin e vitit të ardhshëm.
Fusha është sërish çështja e madhe dhe problemi, që federata nuk po di t’i japë zgjidhje që nga ndërtimi i stadiumit në vitin 2019.
Para Polonisë impianti u mbyll për të përmirësuar kushtet e fushës, por edhe në atë ndeshje gjendja e terrenit nuk ishte aspak e mirë, teksa edhe Jasir Asani u ankua në lidhje me këtë.
Fakti se fusha nuk ka arritur të rigjenerohet, pritet ta shtyjë federatën që të mos lejojë klubet e kryeqytetit të mos luajnë në “Air Albania” as para ndeshjes me Çekinë, çka bën që derbi i 27 shtatorit të spostohet në një tjetër impiant.
Fakti që Partizani është vendës, mund të shtyjë që sfida të luhet në stadiumin “Arena e Demave”, duke i bërë të kuqtë të humbasin dhjetëra miliona lekë nga biletat dhe duke i humbur madhështinë ndeshjes reklamë të kampionatit.