Stuttgart merr përkohësisht kreun

Futboll

Stuttgart merr përkohësisht kreun

Më: 22 shtator 2023 Në ora: 22:57
Stuttgart

Stuttgart-Darmstad çelën javën e pestë të Bundesliga, me vendasit që pas fitores 3-1 ngjiten në krye të renditjes, ndërsa miqtë nga ana tjetër nuk po dinë të dalin nga kriza dhe vijojnë të jenë në fund të renditjes.

Lojtari i kombëtares shqiptare, Klaus Gjasula e nisi këtë takim si titullar, duke u rikthyer pas disa javësh në formacionin e Darmstadt, megjithatë ekipi i tij doli pa pikë nga “MHP Arena”.

Miqtë morën avantazhin në minutën e 17’ pas autogolit të Zagadou, megjithatë gëzimi i Darmstadt zgjati deri në minutën e 22’, moment në të cilin Millot barazoi për vendasit.

10 minuta më pas rrugën drejt rrjetës e gjeti Guirassy, i cili përmbysi rezultatin.

Vendasit diktuan ritmin edhe në fraksionin e dytë dhe gjetën rrugën drejt rrjetës me Fuhrich, por ai gol u anulua pas verifikimit në VAR për pozicion të parregullt.

Në fund rezultati u vulos nga Guirassy, i cili realizoi golin e tretë për Stuttgart në minutën e 90+2’.

Pas javës së pestë të Bundesliga Stuttgart merr përkohësisht kreun me 12 pikë, por me skuadrat e tjera që ende se kanë luajtur takimin e këtij raundi.

Ndërsa Darmstadt nga ana tjetër vuan në fund të renditjes me vetëm një pikë në pesë ndeshje.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat