Pas seleksionimit njëditor me rreth 37 futbolliste të datëlindjes 2009, Shqipëria U15 është gati të nisë grumbullimin dhe aventurën për turneun ‘UEFA Development’ për vajza.
Që do të zhvillohet në vendin tonë në Shqipëri në datat 24 shtator-2 tetor, një turne që ka në fokus zhvillimin e futbollisteve të kësaj grupmoshe.
Përveç Kombëtares shqiptare U15, që drejtohet nga trajneri Kreshnik Krepi, në këtë turne do të marrin pjesë edhe përfaqësueset e Maltës, Ishujve Faroe dhe Luksemburgut.
Lista
Të gjitha ndeshjet do të zhvillohen në fushat e ‘Shtëpisë së Futbollit’.
Në Tiranë, në datat 27, 29 shtator dhe 2 tetor. Shqipëria U15 do të nisë përgatitjet nga e diela e 24 shtatorit në Tiranë, ku do të qëndrojë e grumbulluar deri në fund të turneut.
Trajneri Krepi ka shpallur listën me 20 lojtaret e grumbulluara për këtë kompeticion.
Përveç seleksionimit mjaft të vlefshëm të zhvilluar disa ditë më parë në ‘Shtëpinë e Futbollit’, nën drejtimin e teknikut kuqezi dhe stafit të kombëtares U-15 ku morën pjesë rreth 37 futbolliste, duhet theksuar se një punë mjaft e mirë është bërë edhe me ekipet në kampionatet e shkollave 9-vjeçare në disa zona të Shqipërisë.
Ku aktivizohen çdo vit mbi 800 vajza të vogla që kanë pasion futbollin. Ky është një kompeticion shumë i rëndësishëm për këtë grupmoshë, teksa prej disa javësh, Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë përgatitjet e duhura për ta organizuar sa më mirë këtë event.
Në bashkëpunim të ngushtë edhe me UEFA-n, që i ka besuar aktivitete shumë të rëndësishme ndërkombëtare edhe për këtë vit futbollistik.