Drejtuesit e Marsejës vijojnë nga puna për të gjetur pasuesin e Marselinjos. Emri që “josh” më shumë ambientin marsejez është ish-trajneri i Paris Sen Zhermenit në sezonin e kaluar, Kristof Galtier.
57-vjeçari ka mbajtur takimin e parë me drejtuesit e Marsejës, ndërsa ka pasur edhe një kusht të panegociueshëm. Galtier pret miratimin e tifozëve, pasi kërkon që ambienti të jetë i bashkuar dhe të punohet në një drejtim për të mirën e Marsejës.
Ultrasit nuk ia kanë falur Galtierit disa deklarata në kohën kur drejtonte PSZH, pa harruar edhe çështjen e racizmit në të cilin u përfshi 57-vjeçari në kohën kur drejtonte Nicën.
Megjithatë, Galtier është një marsejez dhe ndoshta tifozët mund të harrojnë të kaluarën teksa drejtuesit e klubit kanë programuar edhe një takim me ultrasit në mënyrë që të dakordësohen për emrin e Galtier.
Nëse gjithçka shkon sipas pritshmërive atëherë Galtier shumë shpejt mund të rikthehet në detyrë për të udhëhequr Marsejën.