Viкtor Osimhen mund të largohet nga Napoli që në janar. Kështu pretendojnë mediat italiane, duke trumbetuar se skandali në lidhje me sulmuesin është temë dite në klubin jugor.
Fillimisht agjenti i lojtarit reagoi ashpër në lidhje me videot që Napoli kishte publikuar në “Tik Tok” duke ironizuar Osimhen, teksa kërcënoi me hedhjen e klubit në gjyq, pastaj klubi ka hequr nga Instagram fotot me fanellën e kaltër të bomberit nigerian.
“Është e pabesueshme që një profil zyrtar i klubit të të tallë për një penallti të gabuar, cilat do të jenë konsekuencat tani?
Napoli do të humbasë Osimhen, nuk do të rinovojë kontratën e tij dhe do të dojë të largohet sa më parë që të jetë e mundur.
E them këtë si gazetar, nuk po flas në emër të tij, por po them diçka që tani duket e paevitueshme. Nuk bëhet fjalë për racizëm dhe nuk besoj te diçka e tillë, por është një turp diçka e papranueshme dhe një mungesë e madhe respekti që klubi të të vërë në lojë në profilet e tij në rrjetet sociale. Po flasim për sulmuesin më të mirë në Itali, kandidat për Topin e Artë dhe lojtarin më të mirë të Serie A,” tha mes tjerash miku i Osimhen, gazetari Oma Akatuba.
Është e qartë se raporti mes Napolit dhe qendërsulmueit, kryegolashënues i kampionatit të kaluar, është në minimumin historik dhe lamtumira e tij nuk është më thjesht një hipotezë.
Mbetet për t’u parë nëse raporti do të normalizohet, edhe për faktin se sesioni i ardhshëm i merkatos është ende larg, por për momentin situata është e akullt.
Tanimë nuk mund të bëhet fjalë për tratativat për rinovimin e kontratës që skadon në vitin 2025, dhe egziston rreziku konkret që nëse nuk do të ketë paqe mes palëve, klubi do të jetë i detyruar ta shesë që në janar, për të evituar një luftë që do i dëmtonte të gjithë.