Skuadra braziliane, Flamengo, ka njoftuar shkarkimin e trajnerit argjentinas, Jorge Sampaoli, i cili mbërriti në Rio de Zhaneiro vetëm pesë muaj më parë.
Shkarkimi i tij erdhi si pasojë e humbjes në finalen e Kupës së Brazilit ndaj Sao Paulos (0-1, 1-1).
“Zoti Jorge Sampaoli dhe stafi i tij nuk do të drejtojnë më skuadrën kuqezi”, specifikoi klubi Carioca në llogarinë e tij në Tëitter, duke i uruar trajnerit argjentinas “fat të mirë” për pjesën tjetër të karrierës së tij”.
Kontrata e Sampaolit skadon në fund të vitit 2024 dhe, sipas medieve vendase, Flamengo duhet t’i paguajë atij 1.8 milionë euro dëmshpërblim.
Sipas të njëjtave burime, klubi i Rios tani po kërkon të marrë Titen, ish-trajnerin e Brazilit.
Kohët e fundit, situata te Flamengo ishte mjaft e tensionuar, aq sa ultrasit e skuadrës e kërcënuan zëvendëspresidentin me vrasjen e vajzës së tij në rast se nuk do të largonte Sampaolin dhe sulmuesin Gabigol.