Al-Nassr ka regjistruar fitoren e gjashtë radhazi në Ligën Profesionale Saudite.
Skuadra e drejtuar nga Luis Castro fitoi sonte në udhëtim ndaj Al-Taee, në ndeshjen e vlefshme për javën e tetë.
Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Prince Abdul Aziz bin Musa’ed” përfundoi me rezultatin 1:2.
Cristiano Ronaldo edhe një herë doli të jetë vendimtar për skuadrën e tij, pasi shënoi golin e fitores.
Ylli portugez shënoi në minutën e 87-të nga penalltia.
Për 38-vjeçarin ishte ky goli i tij dhjetë në shtatë paraqitje në elitën e futbollit saudit.
Golin e parë në ndeshjen e sotme për Al-Nassr e shënoi Anderson Talisca (32’), teksa Ronaldo ishte asistues. “CR7” tani numëron pesë asistime.
Virgil Misidjan (79’) ishte autor i golit të vetëm për skuadrën vendase.
Al-Nassr pas kësaj fitore ka 18 pikë dhe renditet në pozitën e tretë në tabelë, me vetëm një pikë se skuadra e pozitës së dytë, Al-Taawon. Edhe lideri, Al-Ittihad, ka 19 pikë gjithashtu.
Al-Taee ka shtatë pikë në pozitën e 12-të.