Leipzig-Bayern Munchen është supersfida e javës së gjashtë në Bundesliga. Dy ndër skuadrat më të forta në Gjermani, do të përballen sot mes tyre në “Red Bull Arena”. Takim që do të transmetohet në SuperSport 4 (18:30).
Bavarezët kanë humbur dy ndeshjet e fundit shtëpiake kundër Leipzigut, por trajneri Thomas Tuchel beson dhe shpreson se ka ardhur momenti i fitores kundër këtij kundërshtari.
“Kemi mjaftueshëm besim në veten tonë për të shkuar në Leipzig dhe për të fituar ndeshjen. Ky është objektivi ynë. E njohim plotësisht kualitetin e Leipzigut.
Duhet ta pranojmë se dy humbjet e fundit ndaj tyre në shtëpinë tonë, na kanë lënduar shumë. Njëra për pak na kushtoi kampionatin, tjetra hoqi nga duart trofeun e Superkupës.
Unë mendoj se në ato dy ndeshje nuk arritëm nivelin tonë maksimal të lojës.
Në Superkupës krijuam shumë raste për gol, por nuk i shfrytëzuam. Ndërkohë që ishim pa fat në golat e pësuar.
Kishte raste kur nuk ishim shumë të mbledhur si skuadër, por edhe të ngadaltë. Por jemi përmirësuar. Atmosfera është e mirë, mentaliteti dhe rezultatet janë pozitive.
Sigurisht që kemi shumë mundësi të sigurojmë fitoren nëse luajmë në nivelin tonë”, theksoi trajneri i Bayern Munchen.