Napoli koleksionoi fitoren e dytë radhazi në Serie A, teksa mposhti në transfertë me rezultatin 0-4, Leccen e Ylber Ramadanit. Ai që hapi llogaritë e sfidës për të kaltrit ishte Leo Ostigard në minutën e 16-të.
Mbrojtësi shfrytëzoi një harkim në zonë të Zielinskit dhe pasi kërceu mbi gjthë të tjerët, nuk e pati të vështirë të mposhtte portierin Falcone. Me shifrat 0-1 u mbyll pjesa e parë, ndërsa në fraksionin e dytë, skuadra e Rudi Garcias dyfishoi me anë të Victor Osimhen.
Nigeriani u aktivizua në minutën e 46-të dhe i mjaftuan pesë minuta për të shënuar pas asistit perfekt të Kvaratskhelia. Pas këtij momenti, miqtë menaxhuan më së miri avantazhin, madje gjetën edhe golin e tretë në minutën e 88-të me anë të Gianluca Gaetanos.
Në fund, Napoli shënoi edhe golin e katërt me anë të Politanos i cili u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë.
Pas këtij triumfi, ngjiten në kuotën e 14 pikëve në vend të tretë. Nga ana tjetër, Lecce pësoi humbjen e dytë radhazi pas asaj me Juventus dhe mbetet në vendin e shtatë me 11 pikë.