Sulmuesi nigerian i Napolit, Victor Osimhen, ka reaguar këtë të diel për të shuar një herë e përgjithmonë polemikat e shkaktuara pas humbjes së një 11-metërshi në barazimin 0-0 me Bolognan.
Marrëdhënia me tifozët, siç dëshmuan ndeshjet e fundit, nuk u prek, megjithatë ka ende nga ata që vënë në pikëpyetje angazhimin e sulmuesit ndaj klubit italian, që refuzoi oferta të çmendura sidomos nga Arabia Saudite.
Këtë të diel, Osimhen e shprehu me shumë forcë dashurinë e tij për Napolin, klubin dhe njerëzit e qytetit nëpërmjet një mesazhi që u drejtohet të gjithë tifozëve napolitanë.
“Ardhja në qytetin e Napolit në vitin 2020 ishte një vendim i mrekullueshëm për mua. Populli i Napolit më ka treguar shumë dashuri dhe dashamirësi dhe nuk do të lejoj askënd të hyjë mes nesh”, nis postimi i Osimhen.
“Pasioni i popullit të Napolit ushqen dëshirën time për të luajtur gjithmonë me zemër dhe shpirt dhe dashuria për klubin është e palëkundur.
Akuzat kundër tifozëve të Napolit janë të rreme.
Kam shumë miq që janë napolitanë, që janë bërë pjesë e familjes sime dhe e përditshmërisë sime.
Falënderoj nigerianët dhe të gjithë që bënë zërin e tyre të dëgjohet për të më mbështetur dhe për të arritur tek unë”, shkruhet më tej në reagim.