Puna dhe angazhimi po sjellin rezultate të lakmueshme në klubin e atletikës Malisheva.
Kryetrajneri i Malishevës, Adrian Mazreku, tha se rezultatet e fundit janë impresionuese dhe me synime që të rrisin edhe më shumë cilësinë në secilin kategori.
Mazreku ka komentuar edhe suksesin në Kupën e Kosovës me gjeneratën U18 dhe U20.
“Gara e Kupës për meshkuj e grupmoshës U20, U18 për mua si trajner ka qenë gara më e vlefshme për vitin 2023 sepse e fituam këtë garë për herën e dytë radhazi me një dallim të madh të pikëve që dëshmon cilësinë e lartë të atletëve tanë”, thotë Mazreku për gazetën kombëtare “Bota sot”.
Kryetrajneri i Malishevës ka treguar se cila ka qenë edhe e veçanta e garuesve të tij me atletët e klubeve tjera, që arritën rezultate më të mira.
“E veçanta e atletëve tanë në krahasim me atletët e klubeve tjera ishte garimi, fitorja dhe arritja e normave deri në 6 disiplina për dy ditë, kjo e bëri të mundur edhe fitoren bindëse në këtë garë jo vetëm me pikë nëpër disiplina por edhe me medalje duke fituar 14 vende nderi”, ka përfunduar Mazreku.