Jude Bellingham është një nga futbollistët më të spikatur të momentit. Goli ndaj Napolit në raundin e dytë të fazës së grupeve të Championsit ishte vetëm qershia mbi tortë e një fillim-sezoni fantastik të britanikut, i cili ka mundur të shënojë tetë gola në nëntë ndeshjet e para sezonale.
Megjithatë, 20-vjeçari anglez ishte shumë pranë transferimit në Itali, pikërisht tek Juventusi, siç raporton “La Gazzetta dello Sport”. Bellingham, në vitin 2020, shumë i ri në atë kohë, mbërriti në Torino në shoqërinë e prindërve të tij.
Ish-lojtari i Borussias së Dortmund vizitoi Vinovon dhe Continassan, duke marrë një ofertë nga klubi piemontez, i cili fillimisht do ta përfshinte në skuadrën U-23 me perspektivën për të kaluar në ekipin e parë me kalimin e kohës.
Pas disa javësh reflektimi, familja vendosi ta refuzojë propozimin dhe të fokusohet drejtpërdrejt te Dortmundi që ishte gati të shpenzonte 30 milionë euro, por, mbi të gjitha, i siguronte përfshirjen e menjëhershme në skuadrën e parë.