Milani vuajti, por fitoi në “shtëpinë” e Genoas në një ndeshje që përfundoi me Olivier Giroud në rolin e portierit.
“Kuqezinjtë” fituan me rezultatin 1-0 me golin që u realizua nga Pulisic, përpara se Giroud të shkonte në portë pasi Maignan u ndëshkua me karton të kuq.
Duke folur pas këtij takimi, trajneri i “Djallit”, Stefano Pioli theksoi se meritat për këtë fitore i kanë të gjitha lojtarët.
“Një ndeshje e tillë është e vështirë të mbahet mend të jetë zhvilluar ndonjëherë. Ishte një përballje e veçantë, në të cilën ne luftuam, por edhe besuam.
Meritat i kanë lojtarët që e përfunduan këtë sfidë në mënyrën më të mirë të mundshme, duke luajtur një lojë me mentalitet dhe dëshirë për të fituar”-u shpreh Pioli.
Sa për Giroud që u bë portier, tekniku theksoi: “Më pëlqen të mendoj se ajo që bëri është pjesë e mentalitetit tonë, domethënë dëshira për të provuar gjithmonë. Ajo që më bën më të lumtur është dëshira e këtij grupi”.