Fjalët e Uli Hënes ndaj Oliver Kahn kanë çuditur shumëkënd, pasi pakkush priste që emri i njohur i bavarezëve të lëshonte deklarata të tilla për ish-shefin ekzekutiv. “Emërimi i Oliver Kahn si shef ekzekutiv ishte një gabim i madh.
Dhe kur kuptova se ai nuk mund ta bënte këtë, e diskutova me Karl-Hainz Rumenigen dhe e ndryshova”, tha Hënes në një intervistë televizive.
Fjalët e tij janë komentuar gjatë në mediat gjermane dhe tashmë ka ardhur edhe reagimi i vetë Oliver Kahn për “Bild”.
“Të jem i sinqertë, jam i befasuar për këtë. Bajerni dhe unë ramë dakord në verë që donim ta mbyllnim këtë kapitull miqësisht dhe se do të doja të mbetem pjesë e familjes së Bajern në të ardhmen. Unë vazhdoj t’i qëndroj kësaj.
Deklaratat aktuale të Uli Hënes nuk kontribuojnë domosdoshmërisht në bashkëjetesën e respektueshme”, deklaroi Kahn për tabloidin gjerman.
Për të prishur kontratën e tij që mbaronte në vitin 2024, me një pagë vjetore prej 4 milionë eurosh, Kahn u largua pasi Bajerni pranoi të paguante një shumë rreth 4-5 milionë eurosh si dëmshpërblim.