Prioriteti i Napolit për të zëvendësuar Rudi Garcia raportohet se është Antonio Conte.
Garcia mori drejtimin e Napolit në verë. Ai pasoi Luciano Spallettin, i cili fitoi Serie A me klubin sezonin e kaluar.
Por, francezi është në presion tashmë. Presidenti i klubit italian, Aurelio De Laurentiis, madje paralajmëroi largimin e tij të martën, duke pranuar se “nuk është një moment i mirë”.
Megjithatë, ai tha se do të merrte një vendim për Garcia në kohën e tij dhe nuk do të ndikohet nga tifozët.
Sipas “L’Equipe”, Conte është prioritet i napolitanëve për pozitën e trajnerit, pavarësisht se janë përmendur edhe emra tjerë si: Igor Tudor, Graham Potter dhe Marcelo Gallardo.
Gjithsesi, thuhet se ka dyshime nëse 54-vjeçari do të dëshironte të marrë drejtimin e kampionëve italianë në mes të sezonit.
Conte është trajner i lirë nga marsi i këtij viti, kur u largua nga Tottenham Hotspur.
Trajneri italian në të kaluarën ka drejtuar edhe klubet e njohura si Chelsea, Inter e Juventusin. Ai gjithashtu ka udhëhequr edhe Kombëtaren e Italisë..