Shpresat në fushë, sot për të ruajtuar kreun në Finlandë

Futboll

Shpresat në fushë, sot për të ruajtuar kreun në Finlandë

Më: 13 tetor 2023 Në ora: 11:06
Kuqezinjtë

Kombëtarja U-21 zhvillon sot ndeshjen e radhës eliminatore për llogari të kualifikueseve të “Euro 2025” për 21-vjeçarët.

Skuadra e drejtuar nga Alban Bushi mbylli ditën e djeshme përgatitjet dhe tashmë është gati për betejën ndaj Finlandës U-21 në orën 17:00, ndërsa më 17 tetor, do të luajë ndaj Malit të Zi në “Egnatia Arena” prej orës 14:30.

Kuqezinjtë e drejtuar nga Alban Bushi janë shortuar në grupin E për Europianin e Sllovakisë dhe pas dy ndeshjeve të para renditen në krye të grupit me 6 pikë.

Sa i përket listës, ajo ka pësuar ndryshime, teksa Marçelino Preka i Partizanit është dëmtuar dhe në vendin e tij vjen Elmando Gjini i Xhenoas. Ndërkohë edhe Dion Berisha, që ka qenë pjesë e Kosovës dhe u afrua, nuk do të jetë për shkak të dokumentacionit që nuk është ende gati.

Në vendin e tij vjen Ermir Selimaj. Këto dy ndeshje të radhës janë shumë të rëndësishme për skuadrën e Bushit, pasi në rast rezultatesh pozitive, kuqezinjtë do të konfirmoheshin si kokë grupi dhe si favoritë për të shkuar në Europian.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat