Sylvinho ka vendosur ta ftoj për herë të parë Marvin Çunin, si zëvendësim të Mirlind Dakut, pasi ky i fundit u lëndua dhe u detyrua ta lë grumbullimin.
Por kush është Marvin Çuni?
Marvin Çuni ka lindur në Gjermani por me origjinë është nga Peja. Ai aktualisht luan si sulmues në Serie A dhe aktivizohet me skuadrën e Frosinones, në kampionatin Italian, ku ka shtatë paraqitje mirëpo nuk ka gjetur ende golin ose asistin.
22-vjeçari ka qenë pjesë e të gjitha grupmoshave e reja të Bayern Munich por ka kaluar si huazim te disa skuadra si: Sonnenhof, Paderborn dhe më pas te skuadra e Saarbrucken, në Ligën e tretë gjermane, ku është paraqitur 32 herë me ekip dhe ka shënuar nëntë gola e katër asiste.
Pasi përfundoi huazimin te ky ekip, Çuni u rikthye te Bayern Munich për të vazhduar si lojtar i lirë te klubi italian Frosinone.
Çuni ka qenë më parë pjesë e Kombëtares U-19, teksa numëron gjashtë paraqitje dhe dy gola, ndërsa tani do të ketë mundësinë të japë kontributin e tij edhe me Kombëtaren A.