Stadiumi “Air Albania” ka qenë i tejmbushur në ndeshjen e 12 tetorit, ku Shqipëria mori një fitore historike, 3-0, ndaj Çekisë.
Në ngjarje të tilla nuk kishte si të mungonte edhe tifozi i famshëm Ballist (Ismail) Morina, një nga katalizatorët që e çuan Shqipërinë e Europianin e 2016-ës.
Në fund të ndeshjes me çekët Ballist Morina ka ndërruar fanellën me Jasir Asanin. Por edhe në këtë rast ai ka treguar humanizmin dhe patriotizmin e tij, pasi fanellën që i dha autori i golit të parë ndaj Çekisë, ia ka bërë dhuratë familjes së policit dëshmor, Afrim Bunjaku.
Ballist Morina ka vizituar familjen e dëshmorit në Kosovë ku i ka dorëzuar në kornizë fanellën e Kombëtares që ia dhuroi Jasir Asani.
Ballist Morina e ka shpërndarë lajmin në profilin e tij në “Instagram”::
“Vizitë familjes së heroit të kombit, Afrim Bunjaku. Faleminderit Jasir Asani për këtë orvajtje të përbashkët, je kampion në fushë të blertë dhe jashtë saj. Kombëtarja shqiptare e futbollit djersitë fanellën e saj për gjithë kombin. Rroftë shpirti i shqiptarit!".