Sulmuesi i Napolit do të mungojë minimalisht 5 ndeshje në fushën e lojës
Dëmtimi i Viktori Osimhen ka turbulluar ambientin tek Napoli.
Pas asaj që ka ndodhur në kombëtaren e Nigerisë, kjo gjatë miqësores me Arabinë Saudite, Viktor Osimhen është vizituar dhe i është nënshtruar kontrolleve mjekësore, të cilat kanë evidentuar një tërheqje gjysmë gradë të muskulit në bicepsin femoral të kofshës së djathtë.
Sulmuesi i Napolit ka nisur terapitë për një rikuperim të shpejtë në “Konami Training Senter”. Janë ende të paqarta kohët e rikuperimit të sulmuesit të skuadrës kampione të Italisë.
Në të njëjtën kohë lojtarët e Rudi Garsias kanë nisur përgatitjet për ndeshjen ndaj Veronës, që do të luhet të shtunën në ora 15:00 në stadiumin “Bentegodi”.
Sipas të gjitha gjasave minimalisht Osimhen humbet pesë ndeshje, tre në kampionat me Veronën, Milanin dhe Salernitanën. Kurse në Ligën e Kampioneve me shumë mundësi do të mungojë ndaj Union Berlinit në sfidën e dyfishtë.
Deri më tani Osimhen ka shënuar 6 gola dhe mbetet pika kryesore e sulmit të kaltër. Ndaj mungesa e tij do të ndihet shumë në skuadër.