Argjentina vazhdon të fitojë dhe të mos pësojë gol. Kampionët e botës triumfuan 0-2 në Peru falë dygolëshit të Leo Messit, duke u afruar edhe më shumë me kualifikimin me Botërorin 2026. Turne që do të organizohet nga SHBA, Kanadaja dhe Meksika.
“Pleshti” foli pas suksesit në Lima, duke e krahasuar skuadrën aktuale të Argjentinës me Barcelonën e madhe të Guardiolës.
“Kjo skuadër është mbresëlënëse, që vazhdon të rritet dhe që luan gjithnjë e më mirë.
Të krahasohesh me Barcelonën e Guardiolës, e cila është skuadra më e fortë në histori, është ndoshta e tepërt.
Por mendoj se jemi shumë afër nivelit të asaj Barcelone falë asaj që kemi treguar, duke u bërë kampionë të Amerikës dhe të Botës.
Kemi futbollistë të mëdhenj, shpresojmë të vazhdojmë kështu.
Pas fitores së Kupës së Amerikës u çliruam, ndërkohë që Botërori na ka bërë më shumë të ndërgjegjshëm”, theksoi Messi.