Aventura e trajnerit italian Roberto Mancini në stolin e kombëtares së Arabisë Saudite nuk ka nisur mirë dhe mund të mbyllet shumë shpejt. Në 4 miqësore të luajtura gjatë dy muajve të fundit ai ka arritur një barazim dhe tri humbje.
Kjo ka bërë që drejtuesit e Federatës Arabe të Futbollit të mbesin të pakënaqur nga rezultatet e deritanishme edhe pse bëhet fjalë për miqësore. Kombëtarja arabe ka realizuar vetëm 4 gola e ka pësuar 9 të tilla në këto ndeshje.
Presidenti i futbollit arab, Yasser Al Misehal, ka kërkuar që skuadra të reagojë në prag të dy ndeshjeve zyrtare të eliminatoreve të Kupës së Botës.
Në nëntor, koimbëtarja e Mancini do të luajë ndaj Pakistan dhe Jordanisë.
Ndërs në janar, në Katar, do të luhet Kupa e Azisë.
Trajneri Roberto Mancini erdhi me bujë në Arabi me një rrogë të majme, kur la në mes detyrën e tij si drejtues i kombëtares italiane, me të cilën fitoi edhe Europianin e fundit. Arabia synon ngrejë ndjeshëm nivelin, pasi synon të organizojë botërorin e vitit 2034. Gjithsesi, në rast se situata nuk ndryshon mund të vijë divorci i parakoshëm edhe pse kontrata skadon në vitin 2027.