Jadon Sancho po pret merkaton e janarit për t’u larguar nga Manchester United. “Djajtë e Kuq” investuan 85 mln euro për ta blerë nga Borussia Dortmund në vitin 2021, por sulmuesi i majtë nuk po jep më të mirën në “Old Trafford”.
Në fillimin e këtij sezoni erdhi edhe përplasja me trajnerin Erik ten Hag. Zënka i ka kushtuar 23-vjeçarit përjashtimin nga skuadra e parë. Drejtuesit vijojnë të mos lejojnë stërvitjen e Sanchos me pjesën tjetër të skuadrës.
Vetë Ten Hag nuk tërhiqet, teksa futbollisti nuk po kërkon ndjesë për veprimet e tij. Në kushte të tilla, zgjidhja më e drejtë është shitja apo huazimi i lojtarit ofensiv gjatë merkatos dimërore.
Shtypi britanik shkruan se Sancho ua ka bërë të qartë agjentëve të tij se dëshiron të rikthehet te Borussia Dortmund.
Ekip dhe ambient që e njeh në perfeksion, pasi ai shkëlqeu në “Signal Iduna Park” në katër vitet me fanellën verdhezi.