Gallatasaraj këtë vit po bën të qartë që në fillim se kërkon të konfirmohet si skuadra kampione e Turqisë.
Dhe me Mauro Ikardin në një formë të jashtëzakonshme, duket e vështirë që dikush ët ndalë marshimin e ekipit të Stambollit.
Sot e provoi Beshiktashi në derbi, por doli e mposhtur nga kjo sfidë që dhuroi shkëndija që në pjesën e parë. Ishte pikërisht Ikardi ai i cili shënoi golin e avantazhit për Gallatasarajn në minutën e 26 të ndeshjes, teksa gjërat u bënë më të thjeshta për këtë skuadër në minutën e 30 kur Gynok la me 10 lojtarë miqtë.
I detyruar për të bërë ndryshime për të balancuar ekipin, trajneri i Beshiktashit largoi nga fusha e lojës pikërisht Rashicën pak çaste më vonë, për t’i bërë vend Destangolu.
Në pjesën e dytë, Beshiktash u duk sikur u kthye në lojë dhe barazoi shifrat me Oksleid-Çakmbërlejn.
Por përsëri i zakonshmi Ikardi ishte ai që la shenjën e tij në derbi, duke shënuar në minutën e 82-të me penallti golin që do të rezultonte të ishte ai i fitores 2-1.
Me këtë sukses, Gallatasaraj kthehet në kryesimin e kampionatit me 25 pikë, ndërsa Ikardi deri tani ka arritur kuotën e 10 golave.