Roma-Monza e Stephan El Shaarawy përfundoi me lot, duke shënuar golin që i dha tre pikët skuadrës së Mourinhos në minutën e 90-të.
“Faraoni” ka qenë në qendër të akuzave për skandalin e basteve që ka tronditur futbollin italian ditët e fundit dhe në fund të ndeshjes ka dashur të tregojë të vërtetën.
“Bastet? Ato spekulime më lëndojnë. Ndërgjegjja ime është 100% e pastër dhe më dhemb kur nuk thuhen gjëra të vërteta. Është një grumbullim emocionesh, por unë jam i lumtur.
“Si mund të mendosh të mos respektosh futbollin kur përjeton emocione si këto: të shënosh në minutën e fundit dhe të vraposh drejt tifozëve. Gjithmonë kam menduar vetëm të luaj dhe të argëtohem”, shtoi ai.
Fillimisht avokatët e tij, më pas klubi dhe dje edhe Mourinho e mbrojtën El Shaarawy-n privatisht dhe publikisht, duke i dhënë besim futbollistit që sot nuk është nën hetim as nga prokuroria e Torinos dhe as nga ajo federale.
Ja pse pas përfundimit të ndeshje ka ardhur përqafimi me Lukakun dhe e qara çliruese, pas një jave të jetuar mes lajmeve të pavërteta dhe akuzave.