“Poker” i Aston Villas përballë West Hamit. Skuadra e Unai Emery fitoi 4-1 kundër londinezëve të David Moyes, duke e parë veten në vendin e pestë me 19 pikë. Dy më pak se kryesuesit e Manchester Cityt dhe Arsenalit.
Aston Villa regjistroi fitoren e 11-të radhazi në “Villa Park” në kampionatin anglez, duke llogaritur edhe sezonin e kaluar në Premier League.
Douglas Luiz kaloi vendasit në avantazh pas gjysmë ore lojë. Goditja potente nuk u kontrollua dot nga Areola dhe përfundoi në rrjetë.
Braziliani nuk u ndal dhe në fillimin e së dytës dyfishoi me penallti. Miqtë reaguan dhe shkurtuan rezultatin në minutën e 56’.
Jarrod Bowen pati fat, pasi gjuajtja e tij u devijua nga një mbrojtës i Aston Villas. Gjithsesi, skuadra nga Birmingemi realizoi edhe dy gola të tjerë në çerekorëshin e fundit të sfidës.
Me Ollie Watkins dhe Leon Bailey, duke festuar në fund me tifozët një fitore fantastike, që e mban skuadrën e spanjollit Unai Emery afër kreut të renditjes.