Federata e Futbollit e Maqedonisë së Veriut deri në fund të kësaj jave do t'i përfundojë aktivitetet e filluara nga projekti për vendosjen e një sipërfaqe krejtësisht të re në fushën e Arenës Kombëtare "Todor Proeski" në Shkup.
“Brezi i fundit hibrid është instaluar në Arenën Kombëtare pas rreth një muaji punë, e cila përfshinte heqjen e terrenit të mëparshëm, vendosjen e nënshtresës së re dhe një sistem tërësisht të ri të mirëmbajtjes dhe ujitjes së terrenit”, shkruan media maqedonase “Sportmedia”.
Muamed Sejdini - kryetar i Federatës së Futbollit të Maqedonisë, tha:
“Më vjen mirë që Arenën Kombëtare ‘Todor Proeski’ do ta shohim në një petk të ri.
Kjo është edhe një dëshmi se investimet në infrastrukturë janë pjesë themelore e qasjes sonë për zhvillimin e futbollit maqedonas.
Federata e Futbollit të Maqedonisë ndihmon dhe do të ndihmojë edhe në të ardhmen, është obligim që të investojmë në infrastrukturën që është baza e suksesit të futbollit tonë”.
“Dua të falënderoj edhe përgjegjësit në Ndërmarrjen Publike që menaxhon Arenën Kombëtare për realizimin e këtij projekti.
Futbolli dhe kombëtarja e meritojnë këtë.
E presim me padurim ndeshjen e ardhshme kundër Anglisë në barin e ri të Arenës Kombëtare dhe besoj, para tribunave të plota në mbështetje të kombëtares së Maqedonisë”.