Pas debatit me Sergio Ramos në fund të ndeshjes së kampionatit ndaj Sevillas, Antonio Rudiger ishte protagonist i një tjetër momenti tensioni gjatë ndeshjes së Champions League të fituar ndaj Bragës. Real Madridi i tij udhëton me pikë të plota në grup, por ndeshja me portugezin la disa pasoja të hidhura pas fishkëllimës së fundit të arbitrit.
Pas bilbilit të fundit të Michael Oliver, zemërimi u ndez: Nacho, Ferland Mendy dhe Vinícius Júnior mezi ia dolën të mbanin prapa shokun e tyre të skuadrës, i cili, dukshëm i zemëruar, kundërshtoi stolin e Bragës.
Të tre arritën ta fusin në dhomat e zhveshjes me shumë vështirësi, duke mos lejuar që situata të degjeneronte.
Por çfarë ndodhi?
Vetë Rudiger ndërhyri në rrjetet sociale për të mbyllur lajmet e rreme rreth fyerjeve të supozuara raciste që dolën gjatë mbrëmjes së djeshme: “Gjithçka është në rregull përsëri djema, jam i qetë. Ai sigurisht nuk më ka fyer në nivel racor, ka pasur vetëm një debat te vogël pasi rrugët tona u kryqëzuan pas bilbilit të fundit”.
Carlo Ancelotti shtoi detaje të reja në konferencën për shtyp: “Unë mendoj se ai u shty nga një ndihmës trajner i Braga. Ai ishte shumë i zemëruar dhe ne e patëm të vështirë ta mbanim nën kontroll. Por tani në dhomën e zhveshjes situata është qetësuar.”
Nga rikonstruksionet e bëra nga Real Madrid del se mosmarrëveshja ka nisur me ndihmës trajnerin e Braga-s, João Cardoso, i cili dyshohet se i është drejtuar Rudigerit, duke e ofenduar dhe madje i është afruar një sherri.
Mbrojtësi tentoi të mbërrinte në stolin e kundërshtarit dhe vetëm ndërhyrja e shokëve të skuadrës arriti të pengonte më të keqen dhe te prishte gëzimin e një fitoreje themelore për fatet e grupit.