Humbja në Paris ka qenë një goditje e rëndë për aspiratat e Milanit në Champions.
Edicioni i kaluar i kishte dhënë shpresë klubit milanez, por realiteti është i hidhur. Atmosfera ka qenë e rëndë në klub madje kapiteni i skuadrës ka dalë përpara gazetarëve me një deklaratë të fortë.
“Rrezultati është shumë i rëndë pasi një ekip si Milani nuk mund të mposhtet 3-0.
Në dy ndeshjet e para mund të merrnim më shumë pikë, por sot (dje) ishte e pamundur. Për të ardhmen kemi ende shpresë, ka ende ndeshje.
Kush s’ka besim, më mirë të qëndrojë në shtëpi”, ka qenë thirrja e Kalabrias.
Pak çaste më pas përballë gazetarëve doli edhe Pioli, i cili “i tërhoqi” veshin kapitenit për fjalët e thëna. “Në Milanello të gjithë japin maksimumin, prandaj askush nuk duhet të flasë në këtë mënyrë.
Unë mendoj se duhet të tregohemi më të kuptueshëm pasi në intervistat e pas ndeshjes është normale të humbësh disi kontrollin”, tha Pioli..