Ballkani u mposht në Fadil Vokrri ndaj Astanës me shifrat 1-2, një ndeshje e vlefshme për Grupin C të Conference League.
Pas ndeshjes, trajneri Ilir Daja theksoi se ndjehet krenar për rrugëtimin e skuadrës së tij, ndërsa shtoi se do të vinte një ditë që edhe Ballkani i tij do të mposhtej në Fadil Vokrri.
“Në këtë ndeshje kemi dalë nga pritshmëria e rezultateve që kemi pasur në ndeshjet e fundit, edhe pse nga ne nuk është shprehur asnjëherë objektivi për të kaluar grupin.
Duhet të bëjmë shumë gjëra të tjera para se të ëndërrojmë, gjithsesi është e pranueshme që pas gjithë fitoreve në Fadil Vokrri do të vinte edhe humbja e parë.
Meritë kishte edhe kundërshtari pasi bëri një futboll më të mirë se sa ne, patëm shumë probleme në ndërtimin e sulmit, por këto janë prezente në futboll, nuk kemi pse ta ulim kokën.
Kemi bërë atë që nuk e ka bërë njeri, që deri në këto momente nuk kishim asnjë humbje dhe vetëm një gol të pësuar në shtëpi.
Do vinte edhe humbja e parë, erdhi në një moment jo të mirë sepse një fitore do t’i jepte shumë moral ekipit, por kjo është pjesë e futbollit, ishte një ditë “jo” për ne.
Por, jemi krenarë për gjithçka kemi bërë qoftë për Suharekën, qoftë për futbollin e kampionatit të Kosovës”, u shpreh Daja.