Klubet kryesore kërkojnë të afrojnë gjithnjë lojtarët më të talentuar në organikë dhe ndodh shpeshherë që të duelojnë ashpër në merkato.
Kështu, duket të jetë edhe rasti i fundit mes Juventus dhe Inter që në janar pritet të startojnë një betejë të vërtetë për dy mesfushorë, Lazar Samarxhiq dhe Piotr Zielinski.
I pari është lojtari serb në pronësi të Udinese. Inter ishte shumë pranë firmës me 21-vjeçarin në merkaton e janarit, por palët nuk gjetën dakordësinë. Megjithatë, zikaltërit nuk kanë hequr dorë. Por, tashmë në garë është edhe Juventus që kërkon me ngulm një lojtar me cilësitë e serbit.
Samardzic është një objektiv i vjetër i drejtorit Giuntoli që me këtë rast kërkon të tregojë aftësinë e tij dhe të mposhtë Marottën e Inter. Bardhezinjtë duken paksa më të avancuar teksa edhe vetë lojtari është i hapur për një transferim në Torino, megjithatë Inter mbetet pjesë e negociatave dhe do të tentojë deri në fund.
Në rastin e dytë, çështja Zielinski është disi më e komplikuar për të dyja klubet. Edhe pse polaku nuk ka avancuar në bisedat për të rinovuar kontratën me Napolin, sërish mbetet shumë i lidhur me ngjyrat dhe qytetin.
Për të do të jetë e vështirë ta ndryshojë Napolin me një tjetër klub të Serie A, megjithatë nëse në janar tema e rinovimit të kontratës nuk do të jetë hapur, atëherë drejtori i Inter, Marrota do të jetë i pari që nëpërmjet diplomacisë do të tentojë një tjetër goditje me kosto zero, që është edhe fusha e tij e preferuar.
Në këtë rast, Juventus është pak më i tërhequr dhe pret se si do të avancojë situata me Zielinskin, për të përfituar nëse Inter nuk është i gatshëm të kënaqë polakun.