Egnatia ka vazhduar të marshojë në kreun e renditje teksa ka mundur me shifrat 1-0 Erzenin në ndeshjen që hapi javën e 12-të të Superiores.
Por nuk ka qenë një fitore e thjeshtë e rrogozhinasve, të cilët janë përballur me një ekip që u krijoi probleme deri në fundin e sfidës.
Pjesa e parë la shumë për të dëshiruar nga dy skuadra ndërsa në të dytën ishte ekipi i Egnatias që gjeti shpejt golin e avantazhit me anë të Zejnullait për të vendosur ndeshjen nën kontroll.
Shijakasit provuan që të barazonin, por nuk kishin forcën goditëse për të shqetësuar shpesh Sherrin, ndërsa ndeshja u ndez në fund nga një karton i kuq i Fangajt që soli edhe vonesa për shkak të problemeve teknike me VAR-in.
Erzeni u hodh i gjithi në sulm në minutat shtesë të sfidës, në kërkim të barazimit, teksa e mbylli sfidën mes protestave për një prekje të topit me dorë në zonën rrogozhinase.
Por ajo nuk u mor në konsideratë nga kryesorja Rusta e cila vërshëlleu për fundin e sfidës pas 14 minutave shtesë.