Ata nuk janë në vendin e parë në grupin e tyre në Serinë C, teksa renditen pas ekipit surprizë, Torres, por Çezena këtë sezon mban një rekord tjetër, ku kontribut ka dhënë edhe Kristian Shpendi.
Skuadra e shqiptarit mund të mburret me sulmin më të mirë në Itali që në total ka 27 gola të shënuar, po aq sa lideri i Serisë A, Interi.
Ata gjithashtu mburren me çiftin më të mirë të golave, golashënuesi më i mirë, Simone Koraca, me gjashtë rrjeta, ndërsa i riu Kristian Shpendi me pesë.
Një nisje e mirë e sezonit për sulmuesin e Shpresave, pavarësisht se pas ndeshjes me Finlandën U-21, la grumbullimin për shkak të disa probleme fizike dhe humbi kështu tre ndeshjet e radhës me Çezenën.
Megjithatë, në fundjavën që lamë pas Shpendi ishte në stol për ekipin e tij, teksa pritet të rikthehet pas dy ditësh në përballjen e radhës me Gubion.
Sezonin e kaluar, vëllai binjak i tij Stiven, arriti që të shpërthente po me Çezenën, paraqitje që i mundësuan kalimin te një ekip si Empoli, në Serinë A. Ndërkohë Kristiani shpreson që të ecë në gjurmët e vëllait të tij dhe në fundin e sezonit të promovohet në një ligë më lart.