Për kualifikueset afrikane për Kupën e Botës 2026, Eritrea nuk do marrë pjesë. Federata e futbollit e këtij vendi dhe FIFA kanë lëshuar një deklaratë, në të cilën sqarojnë se skuadra afrikane nuk do të luajë kualifikueset.
Deklarata nuk tregon arsyet e tërheqjes së Eritresë.
“FIFA dhe CAF konfirmojnë se Federata Kombëtare e Futbollit të Eritresë është tërhequr nga gara për Kupën e Botës FIFA 2026. Të gjitha ndeshjet e Eritresë janë anuluar, ndërsa pjesa tjetër e ndeshjeve të Grupit E mbetet e pandryshuar, me Marokun, Zambian, Kongon, Tanzaninë dhe Nigerin”.
Eritrea aktualisht nuk është në renditjen e FIFA-s, sepse nuk ka luajtur një ndeshje zyrtare për më shumë se katër vjet. Disa media afrikane publikuan se vendimi për tërheqjen e ekipit nga kualifikueset ka ardhur nga qeveria e vendit, e cila ka frikë se disa lojtarë mund të dezertojnë gjatë udhëtimit të tyre në Marok, për të luajtur ndeshjen e parë, të planifikuar për në 16 nëntor.