I intervistuar nga gazeta franceze “Le Parisien”, Arsene Wenger ka folur për një prej talenteve në rritje këtë sezon në nivel europian, pikërisht Warren Zaire-Emery, ylli i re i Paris Saint-Germain-it të Luis Enrique-s dhe kombëtares franceze.
Duke folur për cilësitë e lojtarit të PSG-së, trajneri historik i Arsenalit bëri padyshim krahasime shumë të rëndësishme, duke shpjeguar edhe arsyet për këtë.
Për Warren Zaire-Emery, në fakt, Arsene Wenger shpjegoi:
“Ai ka diçka nga fuqia e Paul Pogba, por ai gjithashtu ka pika të përbashkëta me N’Golo Kante në aftësinë për të rikuperuar topat. Zaire-Emery është paksa një përzierje midis të dyve, një kombinim i dy kampionëve të botës në 2018-ën”.
Më tej, ish-trajneri i Arsenalit vazhdoi me krahasimet, duke bërë një paralele edhe me karakteristikat e Warren dhe Patrick Vieira.
“Ka të njëjtën aftësi për të fituar duelet pa bërë gabime dhe për të projektuar veten përpara, duke treguar vizionin e tij të madh për lojën.
“Edhe ai ka pak nga Patrick Vieira. Mesfushor box to box siç thonë anglezët”, përfundoi trajneri francez, i magjepsur plotësisht nga cilësitë teknike të Warren Zaire-Emery.