Christoph Freund, drejtor sportiv i Bayernit të Mynihut, pranoi në një intervistë për “SportBILD”, se Joao Palhinha mbetet në listën e gjigantëve gjermanë.
Në ditën e fundit të merkatos së verës, mesfushori i Fulhamit iu nënshtrua ekzaminimeve mjekësore në Mynih për t’u transferuar te skuadra e Thomas Tuchel, në këmbim të 65 milionë eurove, por marrëveshja nuk u realizua pasi drejtuesit e klubit londinez nuk gjetën zëvendësues.
“Palhinha mbetet në radarin tonë, natyrisht.
Punuam shumë për ta pasur në verë, por dita e fundit e merkatos ishte paksa e çuditshme. A do ta marrim?
Nuk e di, po eksplorojmë tregun”, theksoi drejtuesi gjerman.
Të hënën, mesfushori me tipare mbrojtëse pranoi se transferimi i dështuar te kampionët e Gjermanisë kishte ndikuar tek ai.