Rikthimi i Paul Pogba te Juventusi nuk ka shkuar ashtu siç e kishin imagjinuar lojtari dhe stafi i tij, kur u larguan nga Manchester United. Lëndimet më 2022, operacioni i shtyrë dhe humbja e Kupës së Botës janë vetëm disa pjesë të trazuara të vitit të kaluar të mesfushorit që luajti pak minuta me bardhezinjtë.
Kapitulli i fundit, më i rëndi, erdhi me skualifikimin për doping.
Në krah të tij është gjithmonë agjentja Rafaela Pimenta, e cila nuk dorëzohet.
“Po përgatisim ta dërgojmë çështjen e dopingut në apel.
Si avokate jam personi i parë që them se, nëse diçka duhet të diskutohet në nivel ligjor, le të qëndrojë atje. Sigurisht që nuk e humb shpresën”, – tha Pimenta për “The Guardian”.
Lidhja mes Pogba dhe Rafaela Pimenta ka vazhduar prej vitesh, para dhe pas Mino Raiola: “Ai është pjesë e jetës sime dhe e dua, më ka trajtuar gjithmonë me respekt. E kam njohur që fëmijë dhe tani është baba me tre fëmijë”.
Pimenta është pozitive për mënyrën se si po e përjeton vetë Pogba momentin e vështirë: “Ajo që më pëlqen tek ai është se çdo herë bën çmos për të nxjerrë mësime prej vështirësive”.