Simone Inzaghi ‘fërkon duart’. Një nga lojtarët më të rëndësishëm të formacionit të Interit, turku Hakan Calhanoglu nuk do të angazhohet në asnjë prej ndeshjeve me përfaqësuesen e Turqisë.
Mesfushori është kthyer në Milano me lejen e stafit teknik për dy arsye dhe gjasat janë që të mos rikthehet më në grumbullimin e Turqisë së Montellës, por të vijojë përgatitjet nën urdhrat e Inzaghit.
Fantazisti turk shfaqi një problem të gripal ditën e parë të grumbullimit, ndërsa këtë të enjte mori lejen për t’u larguar pasi bashkëshortja e tij pret një fëmijë dhe është shumë pranë lindjes.
Lajmin për largimin e Calhanoglu nga grumbullimi e dha vetë federata turke, që theksoi se kapiteni është larguar me lejen e Montellës. Turqia do të luajë fillimisht ndaj Gjermanisë në miqësore dhe më pas në eliminatore me Uellsin, por skuadra e Montellës e ka siguruar tashëm kualifikimin në Europian dhe nuk do të ketë të domosdoshme praninë e kapitenit.
Në këtë mënyrë Simone Inzaghi mund të përgatisë i qetë ndeshjen me Juventusin, pa pasur merakun që njëri prej titullarëve të padiskutueshëm të dëmtohet në përfaqësuese.