Kuqezinjtë kanë nisur përgatitjet për ndeshjen e fundit, atë me Ishujt Faroe, e hënë, ora 20:45 në “Air Albania”
Përfaqësuesja kuqezi nuk humbet kohë, menjëherë në fushën e stërvitjes për të përgatitur ndeshjen e fundit në grup, atë me Ishujt Faroe që do të luhet të hënën në “Air Albania” duke nisur nga ora 20:45.
Pasi kanë siguruar kualifikimin për në “Gjermani 2024” me atë barazim 1-1 të arritur në transfertë përballë Moldavisë, të besuarit e Silvinjos kanë udhëtuar menjëherë drejt Tiranës ku kanë mbërritur pas mesnate.
Stafi teknik ka vendosur që të nisin menjëherë përgatitjet për takimin e fundit në këtë edicion kualifikues, ku do të kërkohet për të siguruar vendin e parë në Grupin E.
Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se në stërvitjen e sotme ishin të pranishëm të gjithë lojtarët.
Futbollistët e aktivizuar si titullarë në sfidën ndaj Moldavisë u stërvitën vetëm në palestër, ndërsa pjesa tjetër e lojtarve pas punës në palestër, dolën në fushë dhe u stërvitën rregullisht nën urdhrat e trajnerit Silvinjo.
Ditën e nesërme(të dielën), trajneri Silvinjo dhe kapiteni i skuadrës do të jenë përpara mediave në konferencën tradicionale për shtyp në orën 17:15.