Vetëm Partizani ka rezultatet më të mira se blutë në katër javët e fundit
Dinamo në katërshen e parë! Është një renditje e përkohshme për shkak se java e 13-të nuk është plotësuar ende, por qoftë edhe përkohësisht është një pozicion që as nuk mund të imagjinohej një muaj më parë.
Katër ndeshje nën drejtimin e trajnerit Dritan Mehmeti dhe blutë ende nuk e njohin humbjen, duke marrë dy fitore e dy barazime. Plot 8 pikë, të cilat e kanë larguar skuadrën nga vendi i fundit dhe kjo gjë nuk mund të ndryshojë me plotësimin e javës.
Merita e padiskutueshme e trajnerit të rikthyer nuk qëndron te pozicioni në renditje, por te ndryshimi i fytyrës, gjëja që Mehmeti e ka theksuar në çdo dalje para medias që nga çasti i emërimit. Në katër javët e tij, vetëm Partizani ka rezultate më të mira se Dinamo, e barabartë me Egnatian dhe Tiranën.
Fitorja e djeshme me Erzenin, 1-0, ishte ndeshja e dytë radhazi që skuadra nuk pësoi gol, duke shfaqur stabilitet në mbrojtje, një objektiv i deklaruar i Mehmetit.
Golat e pësuar nën drejtimin e tij janë dy në katër ndeshje, në kundërshti të plotë me 17 golat e pësuar në nëntë ndeshjet e mëparshme. Me katër gola të shënuar në po aq ndeshje, blutë ende kanë problem sulmin, zgjidhja e të cilit është objektivi tjetër i deklaruar i Mehmetit.