Sassuolo fitoi 3:4 në Empoli, në një sfidë që prodhoi gjithçka, teksa nuk munguan golat e bukur, traversa, shtylla, përmbysjet e rezultatit dhe polemikat.
Etrit Berisha dhe Ardian Ismajli e nisën si titullarë për skuadrën toskane, teksa Stiven Shpendi e ndoqi përballjen nga pankina. Në krahun tjetër, Nedim Bajrami u fut në fushë në minutën e 79’.
Empoli kaloi në avantazh falë një penallti të Caputos, por skuadra e Dionisit përmbysi rezultatin me anë të Pinamontit dhe Matheus Henrique. Vendasit reaguan dhe mbyllën pjesën e parë në barazim falë golit të Fazzinit.
Gëzim që u shua shpejt pasi Berardi realizoi golin e fitores për Sassuolon në minutat shtesë të sfidës. Tri pikë jetike për miqtë, të cilët rikthehen te suksesi pas gjashtë javësh.
Ndërkohë, Frosinone mposhti 2-1 Genoan në “frymën e fundit”. Arijon Ibrahimovic e filloi si titullar për vendasit, ndërkohë që Marvin Çuni qëndroi gjatë gjithë takimit në pankinë.
Argjentinasi Soule zhbllokoi takimin në minutën e 34’, por Genoa barazoi pas katër minutave falë një eurogoli të Malinovskyt. Golin e fitores për skuadrën laciale e realizoi Monterisi në minutat shtesë.