Mërgimi i Llapit e lë prapa krahëve lëndimin dhe iu rikthehet golave

Futboll

Mërgimi i Llapit e lë prapa krahëve lëndimin dhe iu rikthehet golave

Më: 27 nëntor 2023 Në ora: 09:30
Mërgim Cernaverni

Mërgim Cernaverni e ka lënë prapa krahëve lëndimin që e kishte pësuar disa muaj më parë.

Sulmuesi i ri i Llapit është kthyer aty ku e kishte lënë, duke u treguar një “makineri” e vërtetë e golit.

18 vjeçari e ka rikthyer shkëlqimin me ekipet U19 dhe U-21 të Llapit, ndërsa po vazhdon të ushtrojë dhe të ftohet rregullisht në ekipin e parë në Superligë nga trajneri Tahir Batatina.

Cernaverni ishte lënduar në fund të sezonit të kaluar, i cili për të ishte jashtëzakonisht i suksesshëm pasi ishte shpallur kampion me ekipin U-19 të Llapit, ndërsa vetë ishte super-protagonist me 23 gola të shënuar.

E Mërgimi i Llapit u rikthye në aksion pak javë më parë dhe atë furishëm.

Ai i ka realizuar 5 gola me ekipin U-21 dhe një gol me skuadrën U-19.

“Lewandoëski i Llapit”, në një bisedë u shpreh i lumtur për rikthimin, ndërsa beson se, pasi ta tregojë veten me ekipin U-21, por edhe me atë U-19, do t’i jepet rasti edhe në skuadrën e parë, ku synon po ashtu t’i tregojë vlerat e tij.

Ai po punon fort për të qenë protagonist tek të rinjtë dhe për ta ndihmuar edhe skuadrën e parë të Llapit, ndërsa nuk e ka fshehur dëshirën dhe objektivin e tij për të luajtur edhe për Kombëtaren A të Kosovës.

Cernaverni ishte grumbulluar në ekipin U-19 të Kosovës nga trajneri Adil Maliqi, por më pas u lëndua.

Sidoqoftë, me paraqitjet që po i bën, futbollisti llapjan mund të ftohet prapë tek “Dardanët e rinj”.

Llapi ka nxjerrë lojtarë të mëdhenj në vitet e fundit dhe njëri prej tyre mund të jetë edhe Mërgim Cernaverni, të cilin në të ardhmen mund ta shohim në ndonjë klub evropian.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat